Ministria tha se e larguan, por Nexhat Krasniqi po jep ende nënshkrime tek tenderët (Dok)

Nexhat Krasniqi po e luan rolin akoma si shef i prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës -MMPHI. Të paktën sipas dokumenteve të fundit, ku shihet nënshkrimi i tij.

Ministria që drejtohet nga ministri Liburn Aliu lëshoi deklaratë publike para disa ditëve se Nexhat Krasniqi nuk është më menaxher i Prokurimit. Periskopi ka gjetur se ai po vazhdon të ketë nën menaxhim tenderët. Të paktën kështu flasin dokumentet që lëshohen nga ajo zyrë.

Në rastin konkret, para disa javësh prokurimi i ministrisë ka hapur tenderin e quajtur: “Për mirëmbajtjen investive të rrugëve Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitin 2022”.

Më 6 qershor (e hënë) 2022, prokurimi i ministrisë ka hapur ofertat për këtë tender.

Në procesverbalin e hapjes së tenderit, të cilin e ka parë Periskopi, ka nënshkruar edhe Nexhat Krasniqi. Tani ai është në fazën e vlerësimit te ofertave, dhe kap një vlerë prej 3. 596 710,00 euro.

Po ashtu, më datë 1 qershor, prokurimi i ministrisë ka publikuar “njoftim për kontratë” për Pastrimin dhe mirëmbajtjen higjenike në shtatë objekte të NJPSH-ve. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 132 mijë euro, dhe po ashtu, Nexhat Krasniqi është paraqitur si person kontaktues, sikurse edhe në tenderët më herët.

Më 27 Maj, MMPHI në një prononcim për Kallxo.com kishte thënë se Nexhat Krasniqi s’do të jetë më shef i Prokurimit në MMPHI, dhe se në vendin e tij është caktuar Ndriçim Mustafa.

“Më datë: 24.05.2022, z.Ndriçim Mustafa, është caktuar zyrtar përgjegjës për menaxhimin e Divizionit të Prokurimit, në kuadër të MMPHI-së, si rezultat i bashkimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve të dy Divizioneve të Prokurimit, deri në hyrjen në fuqi të rregullores së re për organizimin e brendshëm të MMPHI-së”, thuhet në përgjigjen ministrisë për kallxo.com.

Po për këtë medium ishte deklaruar edhe ministri Liburn Aliu.

“I kemi dy ministri, e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tani është bërë bashkim i dy ministreve. Në këtë rast në fuzionim të tyre, mes dy zyrtarëve të prokurimit është përzgjedhur njëri. Momentin kur të fuzionohet plotësisht, aty pastaj hapet konkurs dhe konkurojnë të gjithë me anë të procedurave”, ka thënë Aliu. /PERISKOPI/