




Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL UÇK-së, e ka paralajmëruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se do të ketë përplasje me veteranët nëse këta të fundit nuk do të përfshihen në Ligjin e Pagave, përmes së cilit synohet rritja e pagës minimale.
Klinaku, përmes një postimi në Facebook, ka shtuar se veteranët nuk e kanë ndërmend të ndalën dhe se e gjitha kjo do të jetë në përgjegjësi të Kurtit.
Po ashtu Klinaku, ka kujtuar kohën kur partia e kryeministrit Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, kundërshtonte EULEX-in dhe rrëzonte veturat e tyre.





“I ke pas “kundërshtuar” e ua ke pas rrëzuar do xhipa, e tash dorëzoju ti medalje EULEX-it. Veç sa i përket veteranëve, shko merri dosjet në prokurori e pastroi listat sepse je pushtet. Por, ke kujdes mos e prek ligjin e tyre, e mos vazhdo me kryeneqësi se veç përplasje ke me pas me ta dhe nuk e kemi ndërmend që të ndalemi, e përgjegjësia do të jetë kryekëput e jotja”, ka thënë Klinaku.
Ndryshe, ditë më parë veteranët e luftës së UÇK-së kanë zhvilluar një protestë para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste të mos përfshirjes së tyre në ngritjen e pagës minimale.