Një grua nga Kalifornia solli në shtëpi disa mobilje që mori falas në webfaqen e shitblerjeve – Craigslist, dhe gjeti më shumë se 36 mijë dollarë në një pjesë të divanit.
Vicky Umodu tha se ajo vuri re një set me dy divane dhe një karrige që jepej falas në Craigslist dhe mendoi se do të ishine përsosur për shtëpinë e saj të re. E telefonoi personin që i postoi dhe zbuloi se mobiljet i përkisnin një të afërmi të vdekur së fundmi dhe se familja po përpiqej të hiqte qafe gjithçka në pronë.
“Sapo u transferova dhe nuk kam asgjë në shtëpinë time. Isha shumë e emocionuar, kështu që e morëm dhe e sollëm,” tha Umodu për KABC-TV, transmeton Klan Kosova.
Ajo shtoi se shpejt zbuloi se kishte diçka të pazakontë në jastekun e poshtëm të divanit, kështu që e hapi zinxhirin dhe shikoi brenda.
“Mund të ndjeja se kishte një tufë letrash”, tha ajo për The Washington Post. “Kur e hapa, u trondita. Fillova të bërtisja”.
Jastëku përmbante zarfe të shumta që rezultuan se brenda kishin më shumë se 36 mijë dollarë para të gatshme.
Umodu më pas foli me personin që i dhuroi mobiljet, i cili i tha se familja kishte zbuluar zarfe të tjera parash të fshehura përreth shtëpisë.
Ata i dhanë Umodus një shpërblim prej 2 mijë e 200 dollarësh për kthimin e zarfeve me para, të cilat ajo tha se planifikon t’i shpenzojë për të blerë një frigorifer të ri.