Policia serbe ka kapur 700 mijë euro të padeklaruara në vendëkalimin kufitar të Preshevës. Siç raportojnë mediat serbe, policia i gjeti paratë pasi ndaloi të martën një BMW X6 me targa gjermane, ku ishin dy shtetas të huaj, përcjell Express.
Përveç parave, policia e ka sekuestruar edhe veturën me të cilën dyshohet se janë kontrabanduar paratë si dhe disa gurë të çmuar.
Mediumi serb, KoSSev shkruan se vlera totale e parave, mallrave dhe veturës që u konfiskuan ka shkuar në mbi 840 mijë euro, sipas Drejtorisë Doganore të Serbisë.
Në pyetjen e doganierëve nëse kanë ndonjë gjë për ta paraqitur për kontroll doganor, të dy sipas doganës serbe janë përgjigjur se nuk kanë asgjë me vete.
Më shumë se 600.000 euro dhe gati 125.000 dollarë para të padeklaruara janë gjetur në veturën, të cilat ishin fshehur, siç thuhet në deklaratë, pothuajse në çdo pjesë të brendshme të automjetit – kutinë e ndihmës së shpejtë, dyert majtas dhe djathtas, jelekët reflektues, çanta me sende personale, në një çantë supermarketi, në një kuti parfumi, në një kuti ilaçesh, në një shportë plastike me lodra për fëmijë, madje edhe në një kuti me shkumësa për fëmijë.
Vetura BMW X6, e cila u sekuestrua, llogaritet të ketë vlerë prej 110 mijë eurosh.