




Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Britani të Madhe, takoi Sekretaren britanike për Punë të Jashtme, Liz Truss.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit.
“Gjatë takimit u theksuan marrëdhëniet shumë të mira bilaterale dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet të dy vendeve”, u tha në komunikatë.





Qeveria shtoi gjithashtu se duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale.





“Sekretarja Truss theksoi se Qeveria Britanike e konsideron Republikën e Kosovës si aleate shumë të rëndësishme në rajon”, tha Qeveria në komunikatë.
“Duke biseduar për sigurinë, u theksuan sfidat që vijnë nga invazioni dhe agresioni i pajustifikuar i Federatës Ruse në Ukrainë. U pajtuan për domosdoshmërinë e shtimit të veprimeve kundër këtij invazioni ilegal rus në Ukrainë dhe sfidimin e ndikimit malinj në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, bëri të ditur në fund Qeveria.