Gabriel Escobar, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkrahin Ballkanin e Hapur. Ai ka thënë se ky nuk është një projekt politik, por ekonomik. Ai ka thënë se të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, duhet të bëhen pjesë e iniciativës.
“Shtetet e Bashkuara e përkrahin Ballkanin e Hapur. Kjo mbështetet në disa pika, të punojmë në një bashkëpunim regjional ekonomik, nëpërmjet biznesit, tregtisë. Tregjet më të mëdha janë ato evropiane. Duhet të punojmë për një integrim më të madh evropian. Iniciativa e Ballkanit të Hapur është vetëm një nga këto iniciativa dhe ne përkrahim cdo iniciativë që ofron rajonin. Nëse ka sukses, duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë duhet t’i përfshijë 6 shtetet në nivel të njëjtë. Është iniciativë e shkëlqyeshme, që vjen në moment shumë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Escobar, përcjell Periskopi.
“Kam disa propozime për miqtë tanë: Të mos duplifikohen punët, por të ketë një integrim të mirë. Të keni një plan për zhvillim institucional. Përparësia e Ballkanit Perëndimor është rritja e fuqisë ekonomike, por kemi edhe një mundësi tjetër si rritja e kushteve për investime të huaja ekonomike”, ka thënë ai, përcjell Periskopi.
“Mundësitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të mëdha, ka një pozitë shumë të mirë gjeografike, ka resurse mahnitëse. Ne e përkrahim Ballkanin Perëndimor dhe dëshirojmë t’ju ndihmojmë që ta ndërtoni Ballkanin Perëndimor. BP ka potencial që të jetë qendër e energjisë reprodukuese. Ka kapacitet të jetë qendër e gazit natyror”, ka thënë ai./PERISKOPI/