Pak para se të bëhej kryeministër, Albin Kurti ndërroi vendbanimin. U zhvendos në ‘Taslixhe’, një lagje periferike e Prishtinës. Albini paguan 250 euro qira për një shtëpi mjaft të madhe dy katëshe. Por pse aq pak? Kurti për kulmin mbi kokë u jep shumën për toke qiradhënësve me mbiemër Zagragja, familjaren e së cilëve e kishte vizituar zyrtarisht sa qëndroi së fundmi në SHBA.
Ishte fillimi i vitit 2021, pak para fitores së referendumit, siç e quan partia në pushtet. Pra fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare, kur Albin Kurti nga një banesë 60 metra katrorëshe në lagjen e ‘’Muhaxherëve’’ u zhvendos në një shtëpi 500 metra katrorë në ‘Taslixhe’. Kryeministri kishte thënë se këtë e kishte bërë për çështje sigurie, sepse natyrisht tash është njeri i pushtetshëm. Por, kishte dhënë edhe një arsye tjetër të lezetshme. Nuk kishte ku t’i linte librat e tij.
Shtëpinë dy katëshe e kishte marrë me qira për tre vjet, me çmim 250 euro në muaj. Kështu e ka të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Por, sa është i arsyeshëm ky çmim?
Periskopi, në cilësinë e klientit të interesuar ka kontaktuar tri agjenci të Patundshmërisë në Prishtinë, ku secili agjent na kumtoi se nuk ka shansë të merret një shtëpi e tillë në lagjen në fjalë, me çmimin që paguan Kurti.
Madje nga Agjencia ‘Asset Real Estate’ na thanë se çmimet në raste të ngjashme në ‘Taslixhe’ variojnë prej 800-1500 euro në muaj.
‘’ Varet prej kushteve, ama çmimi në atë lagje për qera varion 800-1500 euro’’.
Një përgjigje të ngjashme e patën edhe nga Agjencioni për Patundshmëri ‘’Dardania’’.
‘’Ja s’ka shansë me kanë dy katë shpija 200-300 euro. Po varet sa është e rregullume, edhe i caktohet çmimi’’.
Ndërsa Omega Real Estate mendon që mund të ketë shtëpi me çmim minimal 200-300, por veç nëse enterieri i saj është ‘’llom’ .
‘’Nëse nuk është e mobilume mirë, mundet me pasë. Edhe nëse është krejt ma thellë lagjes.’’
Zagragjët, pronarë të shtëpisë ku rrinë Kurti. A ia bënë dhuratë qiranë?
Shtëpia në të cilën është vendosur kryeministri me familje është në emër të Blerim Zagragjës, një djalë i lindur dhe rritur në këtë lagje, por që në vitet e 90-ta kishte shkuar azil në njërin nga vendet skandinave.
Vëllai i tij që jeton në Kosovë, Burim Zagragja e kishte konfirmur për Gazetën Blic se Albin Kurti është zhvendosur në shtëpinë e tyre.
“Diçka e di e diçka nuk di, për rastin e shtëpisë nuk është fer nga ana jonë të flasim…. për këtë çështje mos prisni që edhe vëllezërit e mi të flasin për këtë punë … ju duhet t`i drejtoheni kryeministrit për këtë”, kishte thënë ai.
Sido që të jetë, Jeta Zagragja, vajza e Burimit po ndërvepron shpesh me dy institucionet më të larta të vendit, më konkretisht me përfaqësuesit e tyre. Ajo së fundmi u vizitua nga kryeministri Kurti në zyrën e saj në Çikago ku punon si drejtoreshë e Marketingut në kompaninë UCX. Periskopi i ka çuar pyetje asaj rreth lidhshmërisë që ka me kryeqeveritarin si familje qiradhënëse, por nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.