Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk beson në “Open Balkan” sepse ai është ideologjikisht i neveritur nga hapja dhe liria.
Kryeministri Kurti dje në forumin GLOBSEC në Bratisllavë tha se s’beson në iniciativën “Open Balkan” sepse është kundër afrimit me fuqitë e lindjes dhe se është pro Procesit të Berlinit si iniciativë rajonale.
Përmes një komunikatë në uebfaqen e tij zyrtare Petkoviq ka thënë se Kurti është një “fëmijë ideologjik i diktatorit Enver Hoxha”.
“Është e kuptueshme që një njeri që rrëzon kamionë tash deklaron që është kundërshtar i konceptit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Kurti s’dëshiron që mallrat të lëvizin lirshëm dhe njerëzit të punësohen sepse programi i tij ekonomik dhe politik krijon një vrimë të zezë në barkun e Evropës, një ishull të izoluar të rrethuar me mure nga e gjithë bota”, ka shkruar Petkoviq.
Tutje ai ka thënë se as shqiptarët s’duan të jetojnë në botën imagjinare të bunkerit të Kurtit i cili është fëmijë ideologjik i Enver Hoxhës.
“Problemi i vetëm është se askush nuk dëshiron të jetojë në botën imagjinare të bunkerit të Kurtit, madje as shqiptarët, të cilët kanë ikur nëpër Evropë në kërkim të mundësive që ofron “Ballkani i Hapur”. Si fëmijë ideologjik i Enver Hoxhës, Kurti me një politikë të tillë do t’i dëmtojë të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe pyetja e vetme është se sa familje dhe të rinj do të shkatërrohen ekonomikisht në këtë proces, duke i privuar nga perspektiva dhe shanset për jetë”, ka thënë ai.