




Mediumi “KosovoOnline” që kontrollohet nga qeveria e Serbisë ka publikuar një dokument ku pretendon se Shqipëria ka dorëzuar një “non-paper” në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Dokumenti sipas mediumit u është dorëzuar anëtarëve të KiE-së para tre ditësh.





“Republika e Kosovës është e gëzuar të njoftojë aplikimin për anëtarësim që tashmë përkrahet nga një numër i madh i shteteve anëtare të KiE-së. Bisedimet e fundit me anëtarët e Asamblesë Parlamentare kanë treguar për përkrahje të fuqishme për këtë anëtarësim”, thuhet në dokument.





Tutje sipas këtij “non-paper” të publikuar nga KosovoOnline thuhet se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk e prek vendimin e shteteve që nuk e njohin Kosovës.
Aty përmendet edhe shembulli i Zvicrës që nuk është anëtare e OKB-së por është anëtare e KiE-së.
“Pozicioni ligjor i Këshillit të Evropës nuk ka qenë asnjëherë që një shtet që s’është anëtar i Kombeve të Bashkuara s’mund të bëhet anëtare e kësaj organizata. Përndryshe anëtarësimi i Zvicrës që është bërë në vitin 1963 në Këshillin e Evropës s’ka qenë anëtare e OKB-së deri në vitin 2002”, thuhet në dokumentin që u është shpërndarë shteteve anëtare të KiE-së.