Dy kosovarë dhe një boshnjak janë akuzuar se ishin përfshirë në një sërë grabitjesh, kryesisht në dyqanet e pompave të benzinës, transmeton albinfo.ch. Dy të parët, të lindur në vitin 1992, dhe i treti, boshnjaku i lindur në vitin 1983 kanë qëndruar në bankën e zezë të Gjykatës së Qarkut në Laufenberg, Aargau.
Për veprat që përshkruhen në aktakuza – si për shembull një tentim grabitje më 16 shtator 2019 në Frick, thuhet se i dyshuari kryesor, njëri nga dy të akuzuarit kosovarë, e kishte planifikuar grabitjen dhe kishte drejtuar veturën e arratisjes, e cila ishte e pajisur me targa të vjedhura.
Një bashkëpunëtor i maskuar më pas ka kërcënuar një punonjës me një armë frikësuese që dukej shumë si e vërtetë, shkruan Aargauer Zeitung. Por për shkak se nëpunësi kishte bërtitur për ndihmë dhe mundi të ikte, dy grabitësit qenë detyruar të largoheshin pa marrë asgjë.
Një grabitje e bërë në një dyqan karburanti në Lassenstorf në nëntor 2019 u bë sipas një modeli të ngjashëm: kosovari dhe bashkëpunëtori i tij, të maskuar me çorape të zeza, hynë në dyqan pak para orës 4 të mëngjesit. I dyshuari mbante një çekiç të madh dhe bashkëpunëtori i tij një pistoletë. Ky i fundit ka kërcënuar një punonjëse, e ka kapur për flokësh dhe e ka rrëzuar në tokë.
Ata të dy i kanë kërkuar asaj të hapte arkën dhe më pas kasafortën. Ndërkohë, një tjetër punonjës i dyqanit ka mbërritur dhe ka vënë re grabitjen. Në fund, situata u bë shumë e pasigurt për dy të dyshuarit. Kështu ata u larguan me gati 5000 franga plaçkë.
Në aktakuzë përshkruhen edhe një sërë veprash të tjera. Kosovari, i cili ishte i dyshuari kryesor para gjykatësit, akuzohet se ka vjedhur rreth 750 mijë franga në të gjitha grabitjet që ka bërë.
Të enjten, Gjykata e Qarkut Laufenburg ka marrë vendimet. Nuk ishte e mundur të vërtetohej se i dyshuari kryesor, kosovari, ishte i përfshirë në të gjitha rastet e supozuara të grabitjes. Megjithatë, ai shpallet fajtor për grabitje të shumta, disa tentativa, disa prej tyre të realizuar në përbërje bande dhe krime të tjera. Kështu, ai dënohet me shtatë vjet burg dhe me dëbim nga vendi për 15 vjet.
I pandehuri i dytë përballet me pesë vjet e gjashtë muaj burg. Edhe ai dëbohet nga Zvicra për 15 vjet. Ndërkaq i akuzuari i tretë (boshnjaku) u dënua me 18 muaj burg, gjysma e të cilave me kusht si dhe me gjobë me kusht prej 9600 frangash. Ai gjithashtu duhet të paguajë një gjobë prej 3000 frangash.
Dy autorët kryesorë janë dërguar në mbajtje.