Meçan Zotaj është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai vjen nga jugu i Shqipërisë, më saktësisht nga Mallakastra. Gjatë kohës së luftës në Kosovë, Zotaj jetonte në Kretë të Greqisë. Kjo nuk e pengoi që ai ta braktiste jetën atje, për të ardhur dhe luftuar në Kosovë.
Zotaj ka lidhje të forta me atdheun kudo ku ka shqiptarë, dhe siç tregon, nuk iu desh shumë kohë që të vendoste për të ardhur nga Greqia në Kosovës për të kapur armët.
“17 shkurti është një datë që na bën shumë krenar. Për ne ish-ushtarët e UÇK-së ka përzierje të emocioneve. Nga gëzimi për arritjen e çlirimit të Kosovës dhe vulës së shtetësisë, deri te mungesa e bashkëluftëtarëve që dhanë jetën për këtë ditë. Gjatë asaj kohe unë isha në Kretë të Greqisë, punoja në restorant. Filloi lufta, unë kam qenë i ri. Grekët i shfaqnin lajmet në favor të Serbisë, dhe dy-tre herë sa i dëgjova, vendos të vijë të luftojë, si çdo shqiptar tjetër. Më dukej se aty ishte gjaku im, familja ime. E pashë që humbi kuptimi i gjithçkaje në Greqi dhe vendosa të vijë”, ka thënë Zotaj në “Java Sonte Me Rronin”.
I pyetur se pse vendosi të vinte për të luftuar në Kosovë, kur jugu i Shqipërisë kishte pak lidhje me Kosovën, qoftë edhe për shkaqe infrastrukturore, Zotaj thotë se “për të ndjerë dashurinë e atdheut nuk ka nevojë për autostrada. Çdo shqiptar që e ndjen atdheun, do të kishte bërë të njëjtën gjë. Për t’i kontribuar atdheut ekziston gjithmonë një rrugë. Lufta ka qenë e vështirë, ardhja në Kosovë jo. Pavarësisht zgjedhjes momentale, për mua, Kosova është pjesë e Shqipërisë”.
Zotaj tregoi se si prindërit e tij nuk kishin qenë dakord me ardhjen e tij në Kosovë, duke pas parasysh rrezikun e vdekjes kur po zhvillohej një luftë e madhe. Por ai nuk hezitoi për asnjë moment.
Veterani i UÇK-së shpreson se do të bëhen edhe më shumë ndryshime për të mirë në Kosovë.