Nga Ibrahim Bytyçi
Analistë e politologë në Serbi, të ndjekur edhe nga disa në Kosovë, kanë vënë një paralele midis asaj që ndodhi në Afganistan dhe asaj që mund të ndodhë në një rast të tillë në Kosovë. Pra, duke hamendësuar largimin e trupave të NATO-s nga Kosova dhe rikthimin e talibanëve serbë në vendin e KRlMlT dhe të msakrave të paskrupullta.
Në Beograd këto janë nota muzikore të zakonshme. Por nuk pritej që edhe në Prishtinë e ndoshta nga ndonjë kokëshkretë në Tiranë të flitej me gjuhën se çfarë do të ndodhë dhe se si do të rikthehen talibanët serbë në 7-9 apo 12 orë, nëse prej aty largohet KFOR-i. Një diskurs tmerrësisht egoist dhe inatçor sipas parimit “Për inat të mullixhisë, pafsha djalin në dhe”! Nuk do të ndalem imtësisht në këto prononcime idiote e të papjekura. Në fund të fundit ata në Beograd u vetëshpallën se janë në rolin e talibanëve dhe kjo mjafton si autogol për ta. Ndërsa këta pak “pisa” në Prishtinë duhen falë se për inat të Albinit e Vjosës nuk dinë se çfarë bëjnë e çfarë flasin. Madje nuk e kanë mendjen në vend që të gjykojnë dhe arsyetojnë me tru. Ndoshta ndonjëri prej tyre edhe paguhet për diversione të tilla. Koha do ta provojë edhe këtë.
Tani të kthehemi te thelbi e mos qëndrojmë te deklarimet idiote e të pavërteta. Afganistani dhe Kosova janë dy çështje krejt të ndryshme. SHBA dhe NATO shkuan në Afganistan pas aktit terrorist mbi dy kullat binjake në New York më 11 shtator 2011. D.m.th edhe pasi kishin një eksperiencë të ndërhyrjes ushtarake në Kosovë. Në Afganistan shkuan me rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Por atje ato nuk ndërhynë për shkaqe gjeopolitike, ndryshe Rusia dhe Kina nuk do ta votonin rezolutën që autorizoi këtë ndërhyrje ushtarake të NATO-s. Në Kosovë NATO dhe SHBA-të ndërhynë për shkaqe gjeopolitike, prandaj dhe Rusia deklaroi votën kundër bombardimeve të Aleancës kundër Serbisë. Pse për shkaqe gjeopolitike? Sepse konflikti dhe Iufta në Kosovë rrezikonte të zhvendosej në vendet anëtare të NATO-s. Kjo do të thoshte shkatërrim i aleancës. Ai konflikt po ndodhte në Evropë dhe Evropa e bashkuar do mbetej një nocion abstrakt me një konflikt të gjatë brenda territorit të saj.
Këto janë arsyet pse shtetet kryesore të NATO-s dhe BE-së po përpiqen të fitojnë paqen në Ballkanin Perëndimor, territor në të cilin, përveç Shqipërisë, ndodhën Iuftërat e përgjakshme të para një gjysmë shekulli. Dhe të njëjtat arsye nuk janë në rastin e Afganistanit. Nga ana tjetër mbajtja e trupave amerikane në Afganistan ka një kosto njëqind apo njëmijë herë më të madhe se mbajtja e trupave në Kosovë. Kjo provohet me anën e llogaritjes së diferencës së numrit të ushtarakëve në të dy rajonet, por edhe me shpërfaqen dhe faktorë të tjerë socialë në të dy vendet.
Nëse NATO dhe SHBA dëshirojnë të largohen nga Kosova, atëherë ato do të gjejnë rrugë më të lehta dhe më të sigurta, sesa ato që përdorën në Afganistan. Për mua dhe uroj të mos jem i gabuar, kur SHBA dhe Aleanca Atlantike të mendojnë të tërhiqen nga Kosova, ato do të gjejnë rrugën më të shkurtër për këtë, pranimin e Kosovës në NATO. Vërtet katër vende anëtare të NATO-s nuk e njohin Kosovën si shtet, (Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia), por është shumë lehtë që këto vende të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Atlantike. Asnjëra prej këtyre vendeve nuk mund ta përballojë një presion politik të koordinuar midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë e Britanisë së Madhe.
Greqia ka probleme me Turqinë, anëtarja më e fuqishme e NATO-s pas SHBA-ve. Spanja ka probleme me Britaninë e Madhe, por edhe probleme ekonomike që lidhen me Gjermaninë. Rumania dhe Sllovakia po ashtu nuk do të donin t’i dobësonin pozitat e tyre në Aleancë për shkak të rrezikut rus. Para këtyre situatave asnjëri prej këtyre vendeve nuk do të fitonte, nëse do votonte kundër pranimit të Kosovës në NATO. Ndoshta do kishte abstenim, por jo votë kundër. Në këtë rast Kosova bëhet anëtare e Aleancës së Atlantikut dhe mbrohet sipas nenit 5 të dokumentit të themelimit të kësaj aleance nga shtetet anëtare të NATO-s. A do të mundej që Serbia e madje qoftë dhe Rusia të hynte ushtarakisht e të cenonte sovranitetin e Kosovës, në këtë rast?! Sigurisht që jo. Kjo është formula më e thjeshtë e zgjidhjes. Unë parashikoj që kjo të ndodhë në 5-6 vitet e ardhshme. Pranimi në NATO i jep gjithashtu fund dilemës së dialogut Kosovë-Serbi. Kosova konsolidohet si shtet më shumë duke qenë anëtare e NATO-s, sesa duke qenë anëtare e OKB-së. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që ajo të mos jetë edhe anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Atyre që krahasojnë Kosovën me Afganistanin harrojnë gjithashtu se Kosova është demokraci. Madje demokracia më e konsoliduar në Ballkanin Perëndimor. Harrojnë se gati 100 për qind e popullsisë së saj është me vokacion pro NATO dhe pro BE. E kundërta ndodh në Afganistan. Afganistani dëshmoi se ishte pro-talibanëve. Kosova kurrë nuk do të jetë as serbe, as pro-serbe. Në këto kushte as që mendohet të ketë ndonjë paralelizëm midis dy vendeve.
Ndaj besoj se gjithçka u ngrit e u tha për diversion ndaj Kosovës ose ndaj qeverisë Kurti. Por asgjë nuk është e vërtetë. Asnjë krahasim nuk mund të bëhet midis dy vendeve, dy rajoneve, dy ndërhyrjeve të NATO-s dhe dy kulturave të ndryshme. Kosova ka një vend të veçantë dhe në territorin e saj është ndërtuar tashmë një bazë e fuqishme ushtarake amerikane. Ndërkohë që në territorin e talibanëve fqinj gjenden baza të logjistikës së mbetjeve sovjetike, si baza ruse e Nishit!