Ish-kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një lidhje direkte në Frontal të T7 ka thënë se mediat në Kosovë do të mbylleshin nëse gjykatat do të ishin të pavarura dhe efektive në paditë për shpifje.
Haskuka në emisionin Frontal të T7 u shpreh i irrituar që autori i emisionit Arsim Lani e ka kontaktuar të njëjtin për të folur lidhur me një shkrim të Haskukës në Facebook ku thotë se mediat do të mbylleshin nëse gjykatat do të ishin efektive në trajtimin e shpifjes raporton Gazeta Express.
“Unë i kam kritikuar shpifjet, lexoni mirë ato. Komisioni Evropian tregon në raport për lajmet e rreme në Kosovë, kemi pasë raste kur ambasadorët kanë reaguar. Çështja është që s’është profesionale prej anës juaj me më thirrë, isha duke dalë nga vetura me thirrë dhe me shku live në televizion kjo nuk i përket etikës gazetareske. Me thirrë kështu pa lajmërim, unë s’kam problem edhe live lidhem. Njeri çuditet me ju, mundeni me dërgu mesazh”, ka thënë ai.
I pyetur nga autori i emisionit Frontal se a ka pasë shpifje në rastin e aferës së ministrisë së Liburn Aliut, Haskuka tha se nuk e di.
“Për rastin në fjalë[të ministrit Liburn Aliu], nuk e di a ka pasë shpifje. Po të ishin gjykatat e pavarura në Kosovë, veç për shkak të shpifjeve, televizionet e juaja ish dashtë me falimentu dhe me u mbyllë”, tha ai.
Gjatë ditës, zyrtari i VV-së ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës në ShBA në rastin e aktorëve Johnny Depp dhe Amber Heard në SHBA.
“Shpifja është krim i rëndë, juria në shtetin Virixhina (SHBA) ka vendosur në favor të aktorit Johny Depp, 15 milionë dollarë si dëmshpërblim dhe dëme ndëshkuese pasi ai e fitoi procesin gjyqësor për shpifje.Të kishin qenë gjykatat tona si në Amerikë, një pjesë e madhe e medieve tona kishin falimentuar, duke e marrë parasysh sasinë e shpifjeve dhe dezinformatave. Liria e shprehjes NUK është liri e shpifjes”, ka shkruar ai.