Se sa e ndjeshme është Serbia kur bëhet fjalë për ndihmat e Turqisë dhënë ushtrisë së Kosovës, tregon edhe rasti i tanishëm i gatishmërisë turke të aftësojë armatën tonë edhe për rastet më të ndjeshme, shkruan Kosova Post. Kështu, aftësimi i pilotëve tanë për aeroplanë dhe tanke, i parashutëve, i komandove dhe i profile tjera, janë vetëm disa nga format e ndihmës turke që po i bënë Kosovës.
Bazuar në mediet serbe, e sidomos në gazetën “Kurir” e cila përmend një sondazh të bërë në Serbi ditëve të fundit, në pyetjen se cilat fjalë apo fjali kanë qenë më irrituese për ju në këta muajt e fundit, nga tri përgjigjet e dhëna, dy kishin të bënin me Kosovën dhe shqiptarët. E para ishte “Ushtria e Kosovës” ndërsa e dyta “Turqia po ndihmon shqiptarët e Kosovës të bëjnë ushtrinë e tyre”.
Të mos harrojmë, Serbia asnjëherë nuk do t’i harrojë bombardimet e aeroplanëve turk mbi caqe strategjike brenda Serbisë. Ishin momente të ndjeshme kur NATO i shpalli luftë Serbisë. Atëbotë, gjithandej flitej se aeroplanët e disa vendeve anëtare të NATO-s nuk e kryenin punën e tyre si duhet. Ata aeroplanë, në vend se t’i godisnin caqet e targetuara, bombat e tyre i hidhnin nëpër male. Këto veprime shantazhi kishin irrituar ushtrinë turke e cila, me insistimin dhe precizitetin më të madh hodhi në ajër kasarnet, urat dhe pikat tjera strategjike të Serbisë.