Ish i burgosuri politik, Ylber Topalli, i cili poashtu ishte pjesë e grupit të parë që është stërvitur për luftë guerile në Shqipëri, i ftuar në emisionin n’Demos, mes tjerash ka folur edhe për Masakrën e Dubravës, në të cilën ishte dëshmitar.
Topalli tha se në atë masakër kishte mbetur i plagosur, megjithatë gjendja e tij shëndetësore ishte më e mirë se sa e të burgosurve tjerë.
“Kur ndodhi masakra ne u larguam prej poligonit, unë u plagosa dhe u vendosëm ne pavijonin e katërt, i cili filloi të mbushej me të plagosur. Unë isha pak më i shëndoshë dhe iu shërbeja të tjerëve, Sylejman Bytyqit, Bujar Himajt, dhe një ushtarë tjetër emrin e të cilit nuk e di”, u shpreh ai.
I pyetur për momentin më të veçantë që kujton nga Masakra e Dubravës, Topalli veçoi fjalët që ia kishte thënë një nga të burgosurit.
“Ndërkohë vjen një lajm kinse prej Avni Klinakut, dhe thoshte se UÇK ka rrethuar burgun e Dubravës dhe pritet që shumë shpejtë të vijë e të lirojë të burgosurit. Pastaj unë këtë që e dëgjova shkova dhe ua tregova atyre, të cilët u përmalluan shumë, ndërkohë që i burgosuri emrin e të cilit nuk ia di ma bëri më shenjë që ta afrohem, pastaj më tha ‘O Zot jepëm jetë vetëm edhe një orë t’i shoh uniformat e UÇK-së’, dhe unë i them ‘Uniformat i kanë shumë të bukura, por zemrën e kanë shumë të madhe qysh e paske edhe ti’, ia nisi me kesh dhe nuk nxjerri më fjalë, vdiq”, potencoi ish i burgosuri politik në emisionin n’Demos.
Ylber Topalli i cili rrëfeu për të gjitha përjetimet e tij që nga formimi i grupit të parë e deri te Masakra e Dubravës, rrjedh nga një familje me traditë të gjatë patriotike, e cila brez pas brezi ka dhënë dëshmorë.
Ai formësimin patriotik e ka zhvilluar në shkollë të mesme përmes aktiviteteve të ndryshme, pastaj gjatë kohës së studimeve dhe në protestat e vitit 81.