Holandezi Jorik Nijdam ka 10 vjet që jeton në Tiranë, ka një agjenci udhëtimesh dhe për këtë arsye mund t’ju tregojë gjithçka për qytetin në të cilin Fejnordi do të luajë finalen e Ligës së Konferencës.
“Shqipëria është kaq e larmishme, – shprehet ai. Plot entuziazëm, Joriku tregon për qytetin në të cilin jeton. – Kryeqyteti i zhurmshëm Tirana ka më shumë bare për metër katror në të gjithë Europën. Restorantet janë të mira. Ata kanë gjithçka që dëshironi me çmime të mira.
Në krye të vendit keni alpet shqiptare, vendi ka shumë site të UNESCO-s dhe bregdeti jugor është i bukur. Është një vend i ngjashëm me Greqinë, por më i lirë. Kuzhina është një përzierje italiane dhe greke, më shumë peshk dhe perime”. Joriku studioi turizëm dhe donte një punë të re në një vend tjetër. “Shqipëria ishte larg në listën time. Më pas aplikova në një kompani dhe 3 javë më vonë nisa të jetoja aty.
Nuk ishte qëllimi im të qëndroja për 10 vjet. Pas disa muajsh, u njoha me një vajzë, me të cilën ngritëm një kompani dhe vendosëm të qëndronim aty”, shprehet ai për “Rijnmond”. Me kompaninë e tyre ata organizojnë të gjithë llojet e tureve. Në fund të kësaj historie, Nijdam jep 6 këshilla për Tiranën dhe rrethinat e saj.
Këshillat – Çifti jeton me vajzën e tyre gati 4-vjeçare në qendër të Tiranës, aty ku do të zhvillohet ndeshja mes Fejnordit dhe Romës. Sipas Jorikut, finalja sigurisht është e gjallë dhe ndihet në qytetin e tij: “Dje po ecja në qendër dhe në shesh po ndërtoheshin ekranet e mëdha. Tirana ka dy sheshe të mëdha në të cilat mund të qëndrojnë më shumë se 1000 njerëz në të njëjtën kohë. Këto sheshe tashmë janë ndarë për tifozët”.
TIRANA MIKPRITËSE – Kthehemi te tifozët e Fejnordit të cilët pritet të vijnë në Tiranë dhe që do të jenë me mijëra. Çfarë do të gjejnë aty? “Do të kalojnë një kohë të mirë me vendasit. Ata i pëlqejnë shumë të huajt dhe vështirë se mund të bësh diçka të gabuar. Të gjithëve u pëlqen të të takojnë për të pirë një birrë, kafe ose raki së bashku”. Sipas Nijdamit, mund të komunikoni lehtësisht anglisht me popullatën e re.
Për tifozët që do të pinë birra, koha do të jetë perfekte në Tiranë, edhe për lojtarët që do të jenë në fushë. 34-vjeçari ka qenë një tifoz i Fejnordit gjatë gjithë jetës. Për kënaqësinë e tij, ai arriti të merrte bileta për veten dhe disa miq e familjarë. “I mora biletat përmes UEFA-s.
Është e çuditshme që tifozët e Fejnordit nuk ishin në dijeni të kësaj. Te ne, shitja ishte në lajme dy ditë përpara. Ka disa shqiptarë që morën bileta dhe u përpoqën për t’i rishitur. Më kanë kontaktuar shumë për këtë. Vetëm se kërkojnë aq shumë para sa nuk mund ta bëj”, përfundon ai./PANORAMASPORT.AL