Xhavit Haliti: Nuk po i duan komandantët e gjallë të UÇK-së nga frika e rikthimit në pushtet

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se s’do duhej të kishte festë për çlirimin e Kosovës, pa u përmendur kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë për Klan, Xhavit Haliti deklaroi se pushteti aktual nuk po i do komandantët e gjallë të UÇK-së, për shkak të xhelozirave politike.

”Nuk mund të ndodhë edhe një çlirim i ri, siç po pretendojnë disa. Është meritë e jashtëzakonshme e UÇK-së e cila për herë të parë në historinë e Kosovës, ka arritë të realizojë një kryengritje ose një luftë të armatosur, të përmasave që se ka pa asnjëherë kombi shqiptar”.

”Nuk e besoj që ka budallenj që mund të bëjnë festë të çlirimit pa e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sepse UÇK-në, e përmend edhe NATO-ja, e përmendin edhe ShBA-të, e përmendin të gjitha shtetet aleate, kontributin e UÇK-së”.

”Nuk e besoj që do duhej të bëhej ndonjë festë për çlirim, pa u evidentu pjesa më sublime e kombit shqiptar. Por, me demokraci, e drejta me ia mohu të arriturat e dikujt, nuk është e ndaluar. Mund të mos e dojë siç ka raste, siç ka raste gjatë luftës që nuk e kanë desht UÇK-në”.

”Edhe sot, një pjesë e madhe që flasin për UÇK-në, flasin për komandantët e ushtarët që janë vrarë në luftë, por nuk duan këta që janë të gjallë sot”.

”Xhelozirat politike janë këtu. Xhelozirat në raport me autoritetin, dhe frika mos këta rikthehen në pushtet”.